Vlora nuk mund të jetë njëkohësisht hub energjetik dhe hub turistik.

Deklaratë

May 07, 20261 min read

LEKIZJA PËR ENERGJINË DHE KLIMËN (LEK)

DEKLARATË

Vlora nuk mund të jetë njëkohësisht hub energjetik dhe hub turistik.

Më 28 prill 2026, në prani të Kryeministrit Edi Rama, ambasadores së SHBA-së në Greqi, Kimberly Guilfoyle, dhe të Ngarkuarës me Punë të SHBA-së në Tiranë, Nancy Van Horn, u nënshkruan Memorandumi për zhvillimin e hub-it energjetik të Vlorës dhe Marrëveshja kuadër për furnizimin me gaz të lëngshëm natyror. Hub-i energjetik i Vlorës do ta pozicionojë Shqipërinë si një portë strategjike për energjinë në të gjithë rajonin.

LEK, si bashkim i 6 organizatave mjedisore me histori të gjatë e veprimtari të shumta prej dekadash në tranzicionin energjetik të Shqipërisë, kundërshton fuqishëm këtë marrëveshje. Kjo marrëveshje synon maksimalizimin e fitimeve të kompanive shumëkombëshe nëpërmjet shitjes së gazit në Ballkan, e në këtë kuadër edhe të kompanisë Excelerate Energy në Shqipëri – kompanisë që solli në Vlorë TEC-in lundrues, duke shkaktuar dëme të mëdha mjedisore dhe ekonomike në vend, sidomos në Vlorë, ku mendohet të instalohet kjo industri fosile.

Shqipëria, siç e promovon vazhdimisht Qeveria në samite europiane e botërore, deri në vitin 2030 do të jetë “eksportues neto” nga burimet e rinovueshme.

Nëse nuk bëhet eksportues neto, por arrihet konsum 100% i energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme për nevojat vendase, Shqipëria e realizon këtë edhe për vetëm 1 vit, nëse nuk e ka realizuar tashmë me rritjen eksponenciale të energjisë së gjeneruar nga impiantet fotovoltaike kudo në Shqipëri.

Për më tepër, Vlora ka një ekosistem unik me vlera të larta mjedisore dhe tashmë një turizëm në rritje të fortë.

Ne besojmë se populli i Vlorës do ta refuzojë masivisht injektimin e këtij helmi fosil në Shqipëri.

Back to Blog